TETOVË- Komuna e Tetovës ka zhvilluar ditën e sotme një seancë të jashtëzakonshme ku mori vendimin për të shpallur të hënën e 1 dhjetorit ditë zie. Dita e zisë është shpallur për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi i cili u përcoll sot për në banesën e fundit, pas homazheve që kryen në nderim të tij miq, kolegë e familjarë.
Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare.
Shpat Kasapi ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare të mërkurën pas një sulmi në zemër. Kasapi ishte një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe numëron hite të shumta të dashura nga të gjitha grupmoshat.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000 dhe ishte një idhull për shumë breza. Disa nga hitet e tij janë: “Valle Kosovare”, “Kush të ndau prej meje”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj” dhe shumë të tjera. Kasapi la pas një djalë, Roelin, ndërkohë që dhe babai i tij është ndarë nga jeta në moshë të re, në rrethana të ngjashme. Gjatë ditës së sotme pati akuza në drejtim të Komunës së Tetovës, për mungesën e një ceremonie të posaçme në nderim të Kasapit, dhe tashmë duket se reflektimet kanë ardhur duke e shpallur të hënën ditë zie.

