ITALI- Dy mesfushorët e Kombëtares, Medon Berisha dhe Kristjan Asllani, ishin protagonistë absolutë në ndeshjen ku Lecce fitoi 2-1 ndaj Torinos.
Berisha dha dy asiste, në dy golat e skuadrës së tij. Futbollisti kuqezi, ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa në prononcimin e dhënë, falënderoi portierin Falcone, për pritjen e penalltisë në fund.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. E merituam fitoren. Janë 3 pikë shumë të rëndësishme.
Falcone ishte vendimtar. Duhet ta falënderoj. Na shpëtoi javën. Coulibaly dhe Ramadani na ndihmuan në mesfushë”, u shpreh Berisha.
Penalltia e pritur nga Falcone, ndodhi ndaj lojtarit tjetër shqiptare, Kristjan Asllani. Ky i fundit u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes, duke thënë se ishte një penallti e tmerrshme, ndërsa i kërkoi falje ekipit.
“Është e drejtë që të marr përgjegjësitë për këtë ndeshje. Nuk mund të luajmë ashtu si në 30 minutat e para. Në të dytën ishim agresivë. Kishim një mundësi të mirë në fund të ndeshjes me penalltinë. Për të ardhur keq, nuk e kisha humbur kurrë më parë. Ishte një penallti e tmerrshme. I kërkoj falje ekipit”, u shpreh Asllani.