TIRANË- Një pjesë e shpirtit muzikor të Shqipërisë do të dëgjohet nga e gjithë bota, pasi do të udhëtojë përmes një prej filmave më të pritur të viteve të fundit.
Kolona zanore e “The Odissey” të Christopher Nolan është frymëzuar nga tingujt e polifonisë labe dhe fyellit dyjar shqiptar, ndërsa kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludëig Göransson, ka kërkuar në traditat e lashta shqiptare një tingull autentik për këtë projekt epik.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar gjatë krijimit të muzikës së filmit ka kërkuar tinguj autentikë nga kultura të lashta. Për këtë, ai ka udhëtuar deri në jug të Shqipërisë për të regjistruar iso-polifoninë shqiptare.
Në një rrëfim për “New York Magazine”, i publikuar edhe nga “Vulture”, kompozitori ka zbuluar prapaskenat e këtij udhëtimi, ku kaloi disa ditë duke regjistruar këngë iso-polifonike.
Sipas Göransson, kjo traditë e lashtë e të kënduarit krijon një atmosferë unike dhe ishte një element që nuk ishte përdorur më parë në një produksion filmik të këtyre përmasave.
“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këngësh të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, është shprehur kompozitori.
Por kërkimi i tingujve autentikë shqiptarë nuk u ndal vetëm te iso-polifonia. Göransson regjistroi edhe tingujt e fyellit të barinjve shqiptarë, një instrument që prej shekujsh shoqëron jetën baritore në malet e Jugut.
“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e luajnë prej mijëra vitesh”, ka treguar ai, duke përshkruar përvojën gjatë punës në terren.
Për të kapur sa më besnikërisht këtë atmosferë, ekipi i filmit u përshtat me ritmin e jetës së barinjve.
“Duhej t’i përfundonim regjistrimet deri në orën 6 të mëngjesit, sepse ata ngriheshin në orën 4 për t’u kujdesur për delet”, ka treguar Göransson.
Filmi "The Odissey" është përshtatja e re e poemës së lashtë të Homerit është një nga projektet më ambicioze të regjisorit Nolan, i cili e ka shndërruar historinë e Odiseut në një aventurë aksion me përmasa të mëdha, pa humbur kompleksitetin moral dhe filozofik të personazheve.
Përveç Matt Damon në rolin kryesor, filmi sjell një kast të rëndësishëm aktorësh. Anne Hathaway interpreton Penelopën, bashkëshorten e Odiseut, një figurë e fortë që përballet me presionin e atyre që kërkojnë të marrin fronin në mungesë të tij. Tom Holland luan Telemakun, djalin e Odiseut, ndërsa në kast përfshihen edhe Robert Pattinson, Zendaya, Samantha Morton, John Leguizamo dhe Lupita Nyong’o.
Produksioni është realizuar me përmasa të jashtëzakonshme, me xhirime në formate të mëdha kinematografike dhe një buxhet të raportuar prej rreth 250 milionë dollarësh, duke e bërë një nga filmat më të kushtueshëm të Nolanit. Por mes këtij projekti gjigant ndërkombëtar gjendet edhe një pjesë e vogël e Shqipërisë./ZËRI