
TIRANË-Sot në në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare” luhet ndeshja Shqipëri-Serbi. Sfida e shumëpritur do të shoqërohet me masa sigurie të larta. Rreth 2000 efektivë të Policisë së Shtetit do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një ndeshje futbolli në vend. Në terren do të jenë edhe njësia speciale RENEA, FNSH, strukturat e Antiterrorit, si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).
Në stadiumin “Air Albania” janë instaluar sisteme sigurie të avancuara, përfshirë:
Kamera me teknologji “face recognition”,
Kamera të lëvizshme për monitorim në kohë reale,
Pushkë anti-drone dhe pajisje për neutralizimin e çdo droni që mund të paraqesë rrezik nga ajri.
Akset që do të bllokohen:
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Ndërkohë do të ketë edhe kufizime të përkohshme, me një kohëzgjatje deri në 25 minuta, vetëm në momentin e lëvizjes së eskortës së ekipit.
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri” do ketë kufizime të pjesshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje pasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Masat për tifozët
-Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
-Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
-Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Dënimet me burg:
-Hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
-Dhuna ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.