KOSOVË- Reperi Betim Januzi, i njohur si “Buta”, është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, në lidhje me një incident të ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”.
Sipas njoftimit të Policisë mësohet se në vendin e ngjarjes është konstatuar se, përveç përleshjes fizike ndërmjet dy personave, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja.
Lidhur me rastin, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa njësi janë vënë në kërkim të të dyshuarit. Për rastin priten informacione shtesë nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë se “Buta” edhe më parë ka pasur përballje me organet e drejtësisë. Në shtator të vitit të kaluar ai ishte arrestuar pas një kontrolli policor dhe ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për shitblerje të dyshuar të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje, pasi dyshohej se kishte poseduar substanca narkotike si kokainë dhe marihuanë me qëllim shpërndarjeje./ZËRI