TIRANË- Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në muajin mars të vitit të ardhshëm sfida të vlefshme për një biletë në Botërorin 2026. Me shpresën për të kapërcyer Poloninë, e më pas fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi, Shqipëria mund të shkruajë për herë të parë historinë me pjesëmarrjen në aktivitetin më të madh të futbollit.
Por, përveç prestigjit për të qenë pjesë e një aktiviteti të tillë, Kombëtarja shqiptare do të shpërblehet me një shumë të majme. Një premio që vjen direkt nga FIFA e cila ka zbuluar se ka rritur shifrën që do t’u paguajë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Bëhet fjalë për një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo ekip i cili merr pjesë në Botërorin 2026.
Kjo është shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kompeticion të tillë, ku janë rritur edhe shpërblimet për çdo fazë që kalohet në turne, për të arritur deri në 50 milionë euro më shumë që do të përfitojë skuadra e cila shpallet Kampione Bote.
Kupa e Botës 2026 është pothuajse 6 muaj larg, ndërsa përgatitja dhe pajisja me viza për të udhëtuar drejt SHBA-së nis që tani. Pritet që të ketë numër të madh aplikimesh, sidomos nëse kualifikohet edhe kombëtarja kuqezi, e cila tashmë është zyrtarisht në fazën e "play off". Ky është një kualifikim historik për kombëtaren shqiptare, që për herë të parë prek "play offin", një hap larg kualifikimit zyrtar për në Botërorin 2026./ZËRI