TIRANË- Shqipëria ka siguruar për herë të parë në historinë e saj praninë në play-off të Botërorit dhe ditën e enjte, më datë 20 nëntor, do të mësojë edhe emrat e kundërshtarëve me të cilët do të përballet fillimisht në gjysmëfinale, e më pas edhe në finalen e mundshme për biletën për në aktivitet.
Shorti hidhet të enjten në Zyrih nga FIFA, në orën 13:00 dhe atëherë do të jetë e qartë edhe ndarja në vazo e skuadrave, pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve kualifikuese në grupet e ndryshme në kontinent. Gjithsesi, Shqipëria di që tani se në bazë të renditjes së FIFA-s, do të jetë e vendosur në vazon e tretë në short, ashtu si Kosova, me ndeshjen gjysmëfinale, që do ta zhvillojë jashtë fushës ndaj një skuadre të vazos së dytë.
Në shortin në FIFA, do të përcaktohet shorti i gjysmëfinaleve dhe i finaleve, ku çiftet fituese të ndeshjeve mes vazove 2 dhe 3, do të përballen me çiftet fituese të ndeshjeve mes skuadrave të vazove 1 dhe 4. Do të hidhet short që të enjten për të përcaktuar se cila skuadër do të jetë pritëse e finales në stadiumin e saj.
Ndeshjet e para të play-off, janë më datë 26 mars, ndërsa ndeshjet finale janë planifikuar më datë 31 mars.
VAZOT E PLAY-OFF SIPAS SITUATËS AKTUALE
VAZO 1: Itali, Turqi, Ukrainë, Poloni
VAZO 2: Sllovaki, Skoci, Çeki, Irlandë
VAZO 3: Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut