ANGLI - Një futbollist që ka luajtur në majat e futbollit anglez, tashmë është kthyer në një këngëtar. Eric Cantona fitoi titujt e kampionatit me Marseille dhe Leeds, përpara se të bëhej pjesë e Manchester United në 1992 dhe me këtë klub të shpallej kampion i Anglisë. Që nga pensionimi si futbollist, ai është shfaqur në disa filma, seriale televizive dhe reklama.
Ai është gjithashtu një autor këngësh dhe po merret me rock, teksa ka grupin e tij. Ai shfaqet në publik me një pianist dhe një violonçelist që shoqërojnë vokalin e tij të ashpër. Pas koncerteve në Angli dhe Irlandë, turneu "Cantona sings Eric" arriti në Lion të premten.
Cantona, veshur me këpucë sportive dhe pantallona të kuqe, një pallto të gjatë të zezë dhe një kapele të vogël, interpretoi rreth 20 kompozime të tij për një audiencë në teatrin Comedie Odeon.
“Këtë e bëj për të qenë në skenë dhe për publikun. Kjo është ajo që më pëlqen", tha ai për AFP para koncertit. "Në skenë, unë bëhem dikush tjetër përmes ndërveprimit me publikun”, shtoi ish-futbollisti.
Turneu i tij filloi në fund të tetorit në Mançester dhe së shpejti do ta çojë atë në Gjenevë, Marsejë dhe Paris, përpara një turneu të dytë të planifikuar në pranverën e vitit 2024.
"Kam shkruar ndjenjat e mia, emocionet e mia, atë që ëndërroj, atë që aspiroj. Është shumë personale", tha Cantona. Ai tha se ka publikuar deri tani 4 këngë, por se një album i tij me 20 këngë do të dalë së shpejti në shitje.
‘Metamorfoza’ e ish-ftubollistit që tashmë është këngëtar ka ngjuar interesin e mediave të mëdha të botës./Zëri.ai/