
TIRANË- Këngëtarja Besa Kokëdhima, ka bërë publike versionin përfundimtar të këngës me të cilën do të prezantohet në Festivalin Europian që do të mbahet në Malmo të Suedisë. Versioni i ri nuk titullohet “Me zemër n’dor”, por “TiTAN”.
Pak orë pas publikimit, edhe në faqen zyrtare të Eurosongut, kënga ka marrë komente mjaft pozitive ku nënvizohet se Shqipëria mund të jetë surpriza e këtij festivali. Besa Kokëdhima u përzgjodh nga votat e publikut si përfaqësuese e Shqipërisë në eurovision dhe ajo do të përformojë në skenën e Malmos.
Kënga “Titan” është kompozuar nga vetë Besa në bashkëpunim me Kledi Bahitin dhe teksti nga Gia Koka. Videoklipi dhe kënga në total është nën drejtimin e një ekipi turk. Besa është e përgatitur për të rrezikuar. Që në fillim ajo e bëri të qartë se synonte të rinovonte këngën e saj. Rindërtimi është tërësisht në anglisht, me qëllim përcjelljen e mesazhit në mënyrë më efektive. Besa është shprehur në rrjetet sociale se kënga ka evoluar ndjeshëm nga versioni fillestar dhe dëshiron që të gjithë ta kuptojnë tekstin e saj prekës.
Konkursi i vitit 2024 do mbahet në Suedi pasi Loreen fitoi në 2023 me këngën e saj ‘Tattoo’. Ajo u bë gruaja e parë që fitoi dy herë konkursin, pasi triumfoi në vitin 2012 me ‘Euphoria’. Finalja e madhe do të zhvillohet në Malmo Arena të shtunën më 11 maj. Gjysmëfinalet do të zhvillohen të martën më 7 dhe të enjten më 9 maj./ZËRI