SHBA- Hulk Hogan ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Legjenda e WWE ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Florida. Sipas TMZ, Hogan pësoi një atak kardiak. Policia dhe ambulancat nxituan në shtëpinë e 71-vjeçarit, i cili u dërgua me ambulancë në spital.
Hulk Hogan e shndërroi mundjen në një sport argëtues familjar. Përpara Hulkut, mundja synonte një audiencë mjaft të kufizuar. Shfaqjet e tij teatrale në ring ishin magnetike për fëmijët dhe prindërit e tyre dhe i dhanë jetë të re këtij sporti.
Kush ishte Hulk Hogan?
Hulk Hogan lindi si Terry Gene Bolea në Georgia, SHBA, më 11 gusht 1953. Ai ishte bërë i famshëm në botë me personazhin që luajti në WWE-në e atëhershme, qytetarin nacionalist amerikan, duke mbledhur tifozë dhe duke pasur sukses të jashtëzakonshëm. Ai u bë veçanërisht i njohur nga karriera e tij në film, dhe kështu tërhoqi tifozë në botën e mundjes profesionale me famën e tij.
Ai kishte punuar për kompanitë më të mëdha të mundjes në botë, Federatën Botërore të Mundjes, e cila tani quhet WWE. Në vitin 2005, WWE, për ta nderuar atë për kontributin e tij dhe për të njohur madhësinë e karrierës së tij, e futi atë në "Hall of Fame". Hulk Hogan ishte përfshirë edhe në aktrim. Shfaqja e tij e parë në film ishte në vitin 1983 në Rocky 3, me Sylvester Stallone. Që atëherë, ai kishte luajtur role kryesore në disa filma deri në vitin 2001.
Gjatë karrierës së tij, ai është marrë edhe me muzikë, duke publikuar një CD të quajtur "Hulk Rules".
Ai u martua me Lina Claridge në vitin 1983 dhe ata patën dy fëmijë, Brooke dhe Nick. Hogan e bëri jetën e tij personale fokusin e shfaqjes televizive Hogan Knows Best, në të cilën merrnin pjesë gruaja dhe dy fëmijët e tij. Çifti u nda në vitin 2007, me Lindën që kërkoi divorc sepse Hogan kishte një lidhje jashtëmartesore.
Në autobiografinë e tij, të botuar në vitin 2009, Hogan shkroi se Linda dyshonte se ai e tradhtonte në shumë raste sa herë që ai krijonte miqësi me gra të tjera, por ai i mohoi gjithçka duke u shprehur se nuk e kishte tradhtuar ndonjëherë. Hogan mbajti vetëm rreth 30% të aseteve likuide, duke i dhënë gruas gjithçka tjetër./ZËRI