
SARANDË – Policia në Sarandë lajmëron se ka arrestuar dy trajnerët e ekipit të Butrintit, pas dhunës së ushtruar ndaj futbollistit të skuadrës së tyre, Albi Selimaj. Sulmuesi 22-vjeçar është dërguar dje në spital dhe është ende duke u trajtuar nga mjekët.
Policia ka bërë me dije se në pranga ka rënë, përpos trajnerit të parë Neritan Novi, edhe përgatitësi atletik i skuadrës, Dhiogjen Muço. Ata janë arrestuar nën akuzën “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, e kryer në bashkëpunim.
Si ndodhi ngjarja
Butrinti dhe Memaliaj do të luanin gjatë ditës së djeshme një ndeshje miqësore në stadiumin “Andon Lapa” të Sarandës. Në pushimin e ndeshjes, trajneri i Butrintit, Neritan Novi është konfliktuar edhe fizikisht me lojtarin e tij Albi Selimaj. Më tej, sherri ka degraduar dhe janë përfshirë edhe persona të tjerë. Shkak dyshohet se ka qenë minutazhi që do të luante sulmuesi. Pas përleshjes, futbollisti Selimaj është dërguar në Urgjencën e Sarandës për kujdes shëndetësor.
Reagimi i policisë
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Sarandë, ka reaguar edhe policia. Efektivët bëjnë me dije se kanë arrestuar trajnerin Novi dhe përgatitësin atletik, Dhiogjen Muço, teksa sulmuesi Albi Selimaj ndodhet i shtruar në spital. "Goditën me grushte futbollistin e ekipit gjatë ndeshjes së futbollit, vihen në pranga 2 trajnerët e këtij ekipi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. S., 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje futbolli, nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë. Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve. Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N. N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh. M., 45 vjeç (trajner altlet), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme", njofton policia./ZËRI/