
SHBA- Funerali i aktorit të ndjerë Matthew Perry u mbajt më 3 nëntor, në Forest Lawn Memorial Park. Përveç trishtimit për humbjen e madhe që përjetuan miqtë dhe të afërmit, një moment ku të gjithë u emocionuan ishte kur dëgjuan këngën që u mbajt në ceremoni.
Teksti “Mos u dorëzo, se ke miq. Mos u dorëzo, nuk je vetëm. Mos u dorëzo, nuk ka pse të kesh turp. Mos u dorëzo, na ke akoma” , e ngarkoi edhe më shumë me emocione atmosferën. Aktori i ndjerë kishte folur për këngën e Peter Gabriel e vitit 1986 “Don’t Give Up”, me Kate Bush dhe arsyen pse e pëlqente shumë.
“Mos u dorëzo”. Dëgjoni këtë këngë kur të ktheheni në shtëpi, nga Peter Gabriel dhe Kate Bush. Nuk e di nëse keni dëgjuar për të, por është e mrekullueshme. Ata thonë ‘Mos u dorëzo’. Si mund të mos më pëlqejë kjo? Në videoklip, ata thjesht përqafohen me njëri-tjetrin dhe kamera rrotullohet derisa kënga përfundon. Ishte shumë bukur dhe më pëlqeu. Kur firmos librin tim, shkruaj gjithmonë “Mos u dorëzo”, sepse, po, nuk duhet të dorëzohesh”, ishte shprehur ai në një nga intervistat e tij të fundit.
Matthew Perry u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles. Shkaku i vdekjes së aktorit 54-vjeçar pritet të zbardhet pas përfundimit të autopsisë dhe analizave toksikologjike. Por paraprakisht dyshohet për një arrest kardiak.