
SHBA- Pritja për albumin e nëntë të shumë të pritur të Rihanna-s mund të marrë fund së shpejti. Sipas një burimi për "The Sun", këngëtarja 36-vjeçare po përgatitet për publikimin e këtij albumi të ri, që fansat e saj e kanë pritur prej vitesh.
Gjithashtu, thuhet se Rihanna mund të jetë e ftuara kryesore në festivalin e njohur Glastonbury në Angli, që do të mbahet në vitin 2025. Kjo do t’i jepte fansave mundësinë për ta dëgjuar këngët e reja live.
"Ka qenë një shaka e vazhdueshme se sa shumë kohë ka marrë për të publikuar albumin e nëntë, por duket se pritja pothuajse ka mbaruar", raporton The Sun.
Sipas tyre, Rihanna ka punuar disa këngë me disa bashkëpunëtorë gjatë viteve të fundit, përfshirë producentët si Alesso dhe Diplo. Ajo ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore, përfshirë pop, reggae dhe hip hop, duke u përpjekur të gjejë një tingull të freskët dhe autentik. Megjithatë, fansat mund të mos kenë mundësinë të dëgjojnë disa prej këtyre eksperimenteve muzikore që janë lënë jashtë albumit.
Pas albumit të saj të fundit "Anti", që u publikua në vitin 2016, Rihanna ka qenë më shumë e fokusuar në zhvillimin e markave të saj të kozmetikës dhe të brendshmeve, si dhe duke i kushtuar më shumë kohë familjes së saj, përfshirë partnerin e saj, reperin ASAP Rocky./ ZËRI