TIRANE- Fitorja minimale ndaj Serbisë ka afruar Kombëtaren shqiptare edhe më shumë me ëndrrën e “play off”-it të Botërorit. Kuqezinjtë renditen aktualisht në vendin e dytë të Grupit K me 11 pikë, katër më shumë se Serbia që ndodhet në vendin e tretë.
Një fitore ndaj Andorrës në nëntor do ta bënte thuajse të sigurt pjesëmarrjen e Shqipërisë në fazën “play off”, edhe pse një kualifikim i drejtpërdrejtë në Botëror mbetet i vështirë.
Ndarja e vazove do të bëhet në muajin nëntor, bazuar në renditjen e FIFA-s dhe pikët e grumbulluara. Sipas faqes së statistikave Football Meets Data, Shqipëria aktualisht parashikohet në vazon e tretë, së bashku me Hungarinë, Sllovakinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Në bazë të rregullores së shortit, skuadrat e vazos së tretë përballen me ekipe nga vazo e dytë, ku ndodhen emra të fortë si Polonia, Çekia, Hungaria dhe Skocia.
Nëse renditja nuk ndryshon muajin e ardhshëm, Shqipëria mund të përballet me një prej këtyre kombëtareve, por për momentin asgjë nuk është përfundimtare. Më pas do të luhen katër gjysmëfinale, nga të cilat do të dalin dy fituese që sigurojnë biletën për në Botëror. Një mision i vështirë, por aspak i pamundur për kuqezinjtë.
Duhet theksuar se këto janë parashikime provizore, që mund të ndryshojnë pas ndeshjeve të fundit të nëntorit në fazën kualifikuese./ZËRI