TIRANË- Kombëtarja shqiptare e futbollit do të duhet të kalojë dhe dy sfidat e fundit për një vend në Botëror 2026. Bëhet fjalë për dy sfidat atë kundër Andorrës në datën 13 në udhëtim dhe tre ditë më pas presim Anglinë në Tiranë. Për këtë të fundit, një ndeshje me interes të lartë, për të cilët FSHF-ja nxorri në treg biletat një muaj para ndeshjes.
Ajo që bie në sy për këtë duel, janë çmimet e larta që kanë tronditur jo pak tifozët kuqezi. Çmime që varjojnë nga 2500 lekë në tribunat më të largëta, teksa pas porte një biletë kushton 3500 lekë. Pjesa përballë që është më e preferuara kushton 9000 - 15000 lekë. Ndërkohë që për të ndjekur Kombëtaren nga tribuna VIP duhet të paguash mes 15000 - 50000 lekë.
Shqipëria është në garë për një vend në play-off e Kupës së Botës 2026, ku në dy ndeshjet e ardhshme, kërkon të mbajë vendin e dytë në Grupin K. Vendi i dytë të dërgon direkt në play-off. Anglia mban vend e parë me 18 pikë dhe është tashmë e kualifikuar në Botëror, më pas ndiqet nga Shqipëria me 11 pikë, 1 më shumë se Serbia që mban vendin e tretë. Letonia me pesë pikë ndodhet në pozitën e katërt, ndërsa Andorra me 1 pikë gjendet në fund.