
TIRANË- Jorgo Papingji u shua sot, por la pas një pasuri të vërtetë për artin shqiptar. Të gjithë e njohim si autorin e 4200 teksteve të këngëve, që janë pëlqyer e kënduar në breza me këngë hite të festivaleve të këngës së lehtë, popullore dhe moderne. Por pa harruar edhe ato për fëmijë, një nga kryeveprat është edhe "Hapa Dollapa". Por pavarësisht kontributit të tij në art, fatkeqësisht "Mjeshtri i Madh", Jorgo Papingji doli 4 vite më parë duke qartë në një intervistë, ku shprehej se ishte lënë në harresë nga shteti dhe se prej 8 vitesh nuk merrte pensionin që i takonte.
I ftuar në një intervistë tek “Vizioni i Pasdites”, Papingji e renditi këtë moment të jetës së tij si një peng dhe se ende askush nuk i ka shpjeguar se ku shkon pensioni i veçantë që i takon atij prej 8 vitesh që nga marrja e titullit.
Mes emocionesh dhe përulësisë të një artisti të madh, ai shprehej: Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë pse më ka ngelur peng. Ka lidhje me vlerësimin e punës sime, jo me vlerësimin formal se i kam marrë të gjitha, çmime, vlerësime, letra , fleta nderi, fleta lavdërimi. Nuk e kam kuptuar asnjëherë, kam tetë vite që kam marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dhe gjatë këtyre tetë viteve nuk ka dal ende vendimi që unë të marr pensionin e veçantë. Unë nuk e di dhe nuk besoj që jepet pas vdekjes. Në një moshë që jam unë do ta kisha marrë atë pensionin. Nuk e di arsyen, cila është mënyra e vlerësimit, kush e pengon këtë gjë ! Dua të them që më jepet apo nuk më jepet pensioni i veçantë unë pensionin e marrë në çdo takim me njerëzit, në cdo tavolinë që rri me njerëzit , në cdo rrugë që kaloj, me mijëra përshëndetje nga njerëzit e thjeshtë dhe të natyrshëm edhe nganjëherë ku bie rasti ju them që nuk e kam marrë pensionin, më thonë: “ Ti se ke marrë pensionin! Si ka mundësi?,”- përfundoi Papingji.
Dukej e pabesueshme që një artist, një mjeshtër i muzikës si Jorgo Papingji të ishte lënë në harresë në shkresat e institucioneve, por megjithatë, ai e kapërdiu krenarinë dhe dërgoi një lutje tek të gjithë ata që mund ta ndihmonin.
“I lutem atij që e ka në dorë këtë punë, të më thotë çfarë duhet të bëj unë tjetër akoma, për të arritur të marr pensionin.”
Thirrja e tij shkoi në vendin e duhur, pasi menjëherë pas lutjes, qeveria i akordoi dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror, në masën e katërfishit të pensionit social. Më në fund, përveç teksteve që shkruante, edhe zëri i tij u dëgjua.
Sa i përket krijimtarisë, ai ka dhuruar perla që do të mbeten gjatë në mendjen e shqiptarëve. Një prej tyre është edhe kënga “Hapa Dollapa”, e cila të gjithëve na ka shoqëruar përgjatë fëmijërisë. Por askush nuk e çonte nëpërmend që pas një teksti aq të thjeshtë, fshihej një dhimbje e madhe për një vajzë të re.
“Në grupin e fëmijëve, ishte edhe një vajzë, e cila ishte me epilepsi, ishte rrëzuar. Fëmijët e donin, e mbanin, ajo ishte Ciljeta, sicc thuhet edhe në këngë mungon Ciljeta. Unë duke pasur marrëdhënie me ta dhe duke parë dëshirën e prindërve të cilet kishin qejf ta aktivizionin, krijova tekstin. Ajo vajza për fat të keq sot nuk jeton më. Gëzohej shumë se thoshte jam edhe unë atje prandaj ja vura mungon Çiljeta dhe pastaj aty e gjen Çiljetën. Po Çiljeta kur e dëgjonte këngën gëzohej dhe thoshte jam unë atje,”-tregonte ai.
Papingji është autor i 5 këngëve fituese në “Festivali i Këngës”, njëra prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014. Më poshtë, ZËRI ka listuar për ju disa nga kryeveprat e tij...ndaj shijojini!
Sot, Papingji nuk është më, por ajo që krijoi dhe la pas do të na shoqërojë ndër breza./ZËRI