
Shumë ukrainas ishin zgjuar në orët e para të mëngjesit të së dielës, për një herë jo për të kërkuar strehë nga raketat ruse në hyrje, por për të festuar boksierin ukrainas Oleksandr Usyk që u bë kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë. Fitorja e Usyk ndaj boksierit britanik Tyson Fury ishte një lajm i mirë për një komb të luftuar që po përpiqet të frenojë përparimet ruse, veçanërisht në verilindje, ku Moska ka hapur një front të ri. Presidenti Volodymyr Zelenskyy vlerësoi fitoren si një simbol të qëndrueshmërisë së Ukrainës, shkrua “The New York Times”.
"Ukrainasit goditen fort”, shkroi Zelenskyy në një postim në Telegram.
"Dhe në fund, të gjithë kundërshtarët tanë do të mposhten”, e mbyll ai postimin.
Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, Usyk ka përdorur paraqitjet e tij në ring për të tërhequr vëmendjen në luftën e Ukrainës në fushën e betejës. Të dielën, ai festoi fitoren e tij duke valëvitur një flamur ukrainas që mbante simbolin e agjencisë së inteligjencës ushtarake të vendit. Usyk është gjithashtu një grumbullues aktiv fondesh për ushtrinë ukrainase. Organizata e tij bamirëse, Fondacioni Usyk, ka mbledhur 740,000 dollarë deri më tani, sipas faqes së saj të internetit.
Por boksieri ukrainas është kritikuar edhe në të kaluarën për qëndrimin e tij në dukje të paqartë ndaj Rusisë. Me origjinë nga Krimea, gadishulli i aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, Usyk është akuzuar se ka lidhje me Kishën Ortodokse Ruse të Patriarkanës së Moskës, e cila ka mbështetur fuqishëm luftën e Moskës në Ukrainë. Me fitoren e tij të dielën, Usyk u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda për gati një çerek shekulli. Ai doli triumfues pas një lufte rraskapitëse me 12 raunde kundër Fury në Riad të Arabisë Saudite./ZËRI