
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kanë përcjellë urimet e tyre për arritjen e mundësit rus Chermen Valiev që i dha Shqipërisë medaljen e parë të bronztë në Lojërat Olimpike. Kreu i qeverisë shkruan se Shqipërisë jo vetëm që nuk i ikin talented, por në vendin tonë vijnë edhe të huajt që e zgjedhin si atdhe të dytë dhe stërviten për të tilla arritje. Edhe Begaj e Veliaj kanë shprehur përgëzimet për këtë arritje të Valiev.
Postimi i Ramës: Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit; për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë.
FALEMINDERIT KAMPION
Postimi i Bajram Begajt: Shumë urime për Chermen Valiev që i dhuroi Shqipërisë medaljen e e parë olimpike!
Postimi i Erion Veliajt: Historikeeee! Chermen Valiev me Medalje Bronzi! Shqipëria merr për hërë të parë një medalje në lojërat Olimpike. Mundësi i SK Tiranës, në Paris 2024 na çoi zemrat peshë me paraqitjen e tij të shkëlqyer. Forca!
Për herë të parë, Shqipëria ka arritur të fitojë një medalje të bronztë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris. Mundësi Chermen Valiev ia ka dalë t'i sjellë Shqipërisë medaljen e parë në histori. 25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin, në stilin e lirë për peshën deri në 74 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në finalen e vogël. Kjo medalje vjen pas dhjetë herë pjesëmarrjeve në Lojërat Olimpike.