Aktualitet

Sot gjyqi në themel ndaj Veliajt, kryebashkiaku nuk shkon në GJKKO: Lexoni letrën lidhur me takimin me Gogun!

Në shkresën drejtuar gjykatës, Veliaj ka kërkuar që përmbajtja e saj të lexohet gjatë seancës, me argumentin se kjo do t’i shërbente transparencës dhe vlerësimit ligjor të çështjes.

F.I
Sot gjyqi në themel ndaj Veliajt, kryebashkiaku nuk shkon në GJKKO:
Erion Veliaj

TIRANË-Sot në Gjykatën e Posaçme do të mbahet seanca e radhës për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Por kryebashkiaku i Tiranës nuk do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore. Sipas informacioneve paraprake Veliaj do të përfaqësohet nga mbrojtja, ndërsa ka deklaruar se do të paraqitet fizikisht në gjyq nëse nxirret nga kafazi i qelqtë.

Mësohet se Veliaj i ka dërguar një letër trupit gjykues, në të cilën ka përfshirë qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit, ku pretendon se disa kërkesa, mes tyre të japë dorëheqjen, i janë përcjellë nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu në burgun e Fierit. Në shkresën drejtuar gjykatës, Veliaj ka kërkuar që përmbajtja e saj të lexohet gjatë seancës, me argumentin se kjo do t’i shërbente transparencës dhe vlerësimit ligjor të çështjes.

Takimi mes ministrit të drejtësisë, Toni Gogu dhe kryebashkiakut Erion Veliaj  në burgun e Fierit u raportua një ditë më parë (2 nëntor). Veliaj publikoi një letër ku pretendon se gjatë takimit, ministri i ka përcjellë 3 kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri Edi Rama, mes tyre të pranonte përfshirjen në çështjen e “Flamingove-Studentët”, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t'ia delegonte atë Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën. Vetë ministri Gogu ka konfirmuar takimin me Veliaj, por ka mohuar kategorikisht se ka përcjellë mesazhet e pretenduara.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

MOS HUMB