Aktualitet

Tensione në protestë, demokratja përplaset me protestuesit për bashkimin nën flamurin kombëtar

Këtë herë debati është zhvilluar mes disa protestueseve dhe demokrates Xhulia Xhekaj pas kundërshtimit të thirrjes 'Berisha në burg'.

M.K.
Tensione në protestë, demokratja përplaset me protestuesit
Xhulia Xhekaj dhe qytetares

TIRANË- Përplasjet mes studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike kanë vijuar edhe para Ministrisë së Arsimit. Këtë herë debati është zhvilluar mes disa protestueseve dhe demokrates Xhulia Xhekaj pas kundërshtimit të thirrjes 'Berisha në burg'.

Xhekaj u bëri thirrje studentëve të bashkoheshin për flamurin kombëtar dhe të përqendroheshin te largimi i kryeministrit Edi Rama. Por protestueset këmbëngulën se nuk mund të ketë bashkim pa kundërshtuar njëkohësisht edhe kreun e PD-së Sali Berisha.

Debati u shoqërua me replika të forta, ndërsa një i ri ndërhyri për të qetësuar situatën dhe për t'u kërkuar palëve të mos e zhvendosnin vëmendjen nga protesta.

Debati midis Xhulia Xhekaj dhe qytetares: 

Xhulia Xhekaj, demokrate: Unë dua që unë dhe ti të bashkohemi dhe të ecim para.

Qytetarja: Unë s’po shaj PD-në.

Xhulia Xhekaj: Ai është bashkimi. Votoni kë të doni ju.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg”, i vetmi bashkim. Po manipuloni. Fjala “Berisha në burg”, pse të dëmton kaq shumë?

Xhulia Xhekaj: Do më shërosh ti mua? Mua më shëron të ikë Rama. Do të më shërosh? Ec para. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shko voto në kutinë e votimit.

Qytetarja: “Rama në burg, Berisha në burg” është i vetmi bashkim. Mos përçani, këtë po bëni.

Xhulia Xhekaj: Flamuri kombëtar nuk është përçarje.

Turma në kor: Dorëheqje

Xhulia Xhekaj: Bëhuni bashkë për flamurin dhe ecni para. Një flamur është. S’ka flamur ’97. Policia ka gjithë këtë kohë që të dhunon dhe ti zihesh me mua. Po pse, moj, unë jam armiku yt?

Qytetarja: Po na përçan. Unë pse jam armiku yt?

Xhulia Xhekaj: Unë po të ftoj ty, bashkohu për flamurin dhe ec para. Nuk të konsideroj armik, nuk duhet të zihemi. Mund ta zgjidhni një djalë dhe të na udhëheqë para.

Qytetarja: Po ec, moj zonjë, kush po të ndalon?

Një djalë ndërhyn: I keni kamerat te ju dhe ju kapin ju, dhe thonë shqiptarët “ra protesta”. S’ka flamur fare. Lërini këto budallallëqe, largohuni dhe mos hapni më konflikte./ZËRI

MOS HUMB