LIVE UPDATES

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen bashkë në Këshill, Çuçi e Xhafaj- Gogut: Na sqaro! Burgjet: Sekret shtetëror

♦Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në burgun e Fierit më 28 tetor ka hapur një debat politik. ♦Shkak është bërë mungesa e një dokumentacioni lidhur me procesin dhe arsyen e transferimit të kryebashkiakut. ♦Lidhur me këtë çështje reagime ka patur edhe nga vetë deputetë të Partisë Socialiste, ku Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. ♦Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, u raportua se Çuçi i kishte kërkuar dorëheqjen ministrit. ♦Po ashtu veç Çuçit edhe Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i është bashkuar kërkesës ndaj Gogut. ♦Dy socialistët kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e vlerësuar prej tyre ai sekret shtetëror, të lëvizjes të Erion Veliajt. ♦Ndërkohë opozita dhe mazhoranca u bënë bashkë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku kërkuan transparencë për transferimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj nga burgu i Durrësit në Fier. ♦Lidhur me transferimin e Veliajt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

6 artikuj për këtë temë.
12 ORE ME PARE

Toni Gogu urdhëron inspektimin e 24 transferimeve në burgje, në listë edhe Erion Veliaj

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen
TONI GOGU

TIRANË- Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka urdhëruar inspektimin e 24 transferimeve të të burgosurve të kryera në periudhën 16- 27 tetor, sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Mes rasteve që përfshihen në këtë inspektim është edhe transferimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj drejt burgut të Fierit.

Për këtë rast Ministria e Drejtësisë do të kërkojë informacion mbi procedurat e ndjekura, ndërsa urdhri i ministrit përfshin gjithsej 24 transferime të kryera gjatë 11 ditëve të raportuara./ZËRI

13 ORE ME PARE

Veliaj thyen heshtjen pas transferimit në Fier: Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen
erion veliaj

Erion Veliaj ka reaguar lidhur me transferimin e tij në burgun e Fierit duke kundërshtuar vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ta cilësuar si sekret shtetëror motivin e zhvendosjes. Kryebashkiaku i Tiranës pretendon se autoritetet kanë vonuar dhënien e këtij shpjegimi dhe se mosvënia në dispozicion e aktit e pengon atë të kundërshtojë vendimin përmes rrugëve ligjore.
Në reagimin e tij Veliaj thekson se kanë kaluar 31 orë deri në momentin kur autoritetet kanë bërë të ditur se vendimi klasifikohet si sekret. Ai kërkon që Drejtoria e Burgjeve të bëjë publik autorizimin që i lejon këtij institucioni të klasifikojë vendimin si sekret shtetëror.

Duke iu referuar rregullave për klasifikimin e informacionit Veliaj argumenton se një kompetencë e tillë duhet të mbështetet në autorizimin përkatës dhe kërkon që institucionet të sqarojnë bazën ligjore të veprimit.

Deklarata e plotë:

U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!
Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.
Ateherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!
Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen

./ZËRI

13 ORE ME PARE

Transferimi i Veliajt në Fier përplas palët në Këshillin Bashkiak, PS dhe PD kërkojnë transparencë

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen
foto nga mbledhje e keshillit bashkiak tirane

TIRANË- Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në burgun e Fierit u bë pjesë e debatit në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ku përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ngritën shqetësime për rrethanat e zhvendosjes dhe kërkuan sqarime nga institucionet përgjegjëse.

Diskutimi u përqendrua te mungesa e informacionit zyrtar mbi arsyet e transferimit, kushtet e mbajtjes dhe respektimi i të drejtave të Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim. Këshilltarët kërkuan që Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Avokati i Popullit të bëjnë transparencë mbi procedurën e ndjekur.

Këshilltari Halit Valteri theksoi se statusi i një personi në paraburgim nuk mund të justifikojë kufizimin e të drejtave të tij, duke ngritur shqetësime edhe për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.

“Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor”tha Valteri duke kërkuar vlerësimin e nevojave shëndetësore të Veliajt.

Nga ana tjetër këshilltarja demokrate Ilda Zhulali pretendoi se transferimi dhe izolimi i kryebashkiakut janë kryer pa dokumentacion zyrtar të bërë publik. Ajo e cilësoi çështjen si shqetësuese për mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe e lidhi atë me situatën politike në vend.

Edhe këshilltari i PD-se Dorian Teliti kërkoi llogaridhënie për mënyrën e transferimit duke theksuar se çështja nuk duhet parë vetëm në raport me individin, por edhe me respektimin e ligjit dhe përgjegjësinë institucionale.

“Nuk më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet” u shpreh Teliti duke kërkuar shpjegime për mënyrën se si u krye zhvendosja. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për problemet sociale në kryeqytet dhe protestat e të rinjve për strehimin.

Kërkesë për transparencë paraqiti edhe këshilltari Aldo Merkoçi, i cili kërkoi publikimin e aktit të transferimit dhe të arsyeve ligjore që çuan në marrjen e këtij vendimi. Ai propozoi që Këshilli Bashkiak t'u drejtohet zyrtarisht institucioneve përgjegjëse, si dhe të kërkojë verifikimin e pavarur të kushteve të mbajtjes së Veliajt.

“Pyetja ime nuk është pse Fieri, pyetja ime është ku është letra” deklaroi Merkoçi duke theksuar se kërkesa për transparencë nuk lidhet me përcaktimin e fajësisë apo pafajësisë së kryebashkiakut, por me ligjshmërinë e procedurës.

Nga kampi socialist, këshilltari Eridian Salianji mbështeti propozimin që institucionet të japin sqarime për shkaqet e transferimit dhe gjendjen e Veliajt. Ai sugjeroi që kërkesa të përcillet në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës në mënyrë që të përfshijë të gjithë institucionin dhe jo vetëm një grup këshilltarësh.

Pavarësisht përplasjeve politike gjatë diskutimeve, përfaqësues nga të dyja palët kërkuan informacion zyrtar mbi transferimin. Tashmë pritet që institucionet përgjegjëse të sqarojnë rrethanat e vendimit dhe të japin informacion mbi procedurat e ndjekura./ZËRI

14 ORE ME PARE

Përplasja brenda PS për Veliajn, Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj, kërkesë Gogut: Na sqaro pse u transferua me aq urgjencë

 

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen
Erion Veliaj, Toni Gogu, Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi

 

TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku më herët u raportua se deputeti Bledi Çuçi i kërkoi llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës në burgun e Fierit. Burim nga grupi parlamentar i PS në dijeni të këtij zhvillimi i thaNë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se veç Çuçit edhe Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i është bashkuar kërkesës ndaj Gogut.

Dy kryetarët socialist të këtyre dy komisioneve parlamentare kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e vlerësuar prej tyre ai  sekret shtetëror,  të lëvizjes të Erion Veliajt. Po ashtu kërkojnë tu vihet në dispozicion praktika dokumentare e këtij procesi.

Ky zhvillim i dy ligjvënësve socialist vjen pas një debati në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ku Bledi Çuçi, kërkoi shpjegime nga Ministri Drejtësisë Toni Gogu për Erion Veliajn.

“Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes.

Ndërsa Toni Gogu i është përgjigjur se pret ti vijë informacioni.

Lidhur me transferimin e Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin, por nuk jepet një arsye konkrete për transferimin e Veliajt nga Durrësi në burgun e Fierit. Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

17 ORE ME PARE

Nga Durrësi në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve: Transferimi i Veliajt është ‘sekret shtetëror’

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen

Erion Veliaj

TIRANË-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Verliaj në burgun e Fierit. Në një deklaratë për shtyp, institucioni sqaron se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin, por nuk jepet një arsye konkrete për transferimin e Veliajt nga Durrësi në burgun e Fierit. Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, më 28 tetor Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, ndërsa më 29 tetor, strukturat përgjegjëse të institucionit kanë zhvilluar një takim me të, gjatë të cilit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime për të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qëndrimin në institucion.

"Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.”,-njofton Drejtoria e Burgjeve.

Një ditë më parë (28 tetor) Erion Veliaj u transferua nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit në burgun e Fierit. Vetë Veliaj e cilësoi transferimin si një 'rrëmbim policor', ndërsa një deklaratë e pati edhe për kushtet e izolimit ku po mbahet. Kryebashkiaku qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

21 ORE ME PARE

Transferimi i Veliajt 'mollë sherri'/ Bledi Çuçi i kërkon dorëheqjen ministrit të Drejtësisë

Transferimi i Veliajt 'ndez' politikën! PS-PD bëhen

Toni Gogu, Erion Veliaj dhe Bledi Çuçi 

TIRANË-Transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fiert ka shkaktuar përplasje brenda Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputeti Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës. 

“Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes.

Një ditë më parë (28 tetor) Erion Veliaj u transferua nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit në burgun e Fierit, por deri sot ende nuk dihet arsyeja e lëvizjes së tij. Vetë Veliaj e cilësoi transferimin si një 'rrëmbim policor', ndërsa një deklaratë e pati edhe për kushtet e izolimit ku po mbahet. 

Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

MOS HUMB