TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka njoftuar për të tretën herë kryedemokratin Sali Berisha për thirrjen për paraqitje lidhur me dosjen e "21 Janarit". Në njoftimin zyrtar, SPAK bëri me dije se Berisha, gjatë paraqitjes për masën e sigurisë për dosjen "Partizani", ka firmosur edhe fletëthirrjen për "21 Janarin". Ndërkohë, pak orë pas njoftimit të SPAK, me anë të mbrojtësit të tij ligjor Genci Gjokutaj, Berisha ka kërkuar të shtyhet marrja në pyetje në një datë tjetër, me argumentin se do të ndodhet jashtë territorit. Por menjëherë pas kërkesës së Berishës, SPAK caktoi një tjetër datë, të mërkurën në orën 09:00. Thirrja e tretë për Berishën, vjen pas refuzimit të dy thirrjeve të mëparshme, të cilat kryedemokrati i refuzoi me pretendimin se nuk kishte marrë fletëthirrje. Nga ana tjetër, SPAK e përgënjeshtroi, duke thënë se fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, selinë e Partisë Demokratike dhe në banesën e Berishës, por nuk është tërhequr.
/ZËRI