SPAK ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me denoncimet e bëra nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live”. Po ashtu, SPAK ka kërkuar që t'i vihet në dispozicion i gjithë materiali emisionit përfshirë këtu dhe audio-përgjimet bruto të transmetuara në publik. Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Verifikimi nga SPAK vjen pasi Ahmetaj ngriti një sërë akuzash, mes tyre për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria. Ish-zv.kryeministri nga arratia deklaroi se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur. Po ashtu, Ahmetaj përmend edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilin e identifikon me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke pretenduar se ky emërtim lidhet me rolin e tij në çështjet që ai ngriti gjatë intervistës. Denoncimet e tij qeveria në një reagim për emisionin 'Opinion' i quajti thashetheme nga një person në arrati. Me nisjen e verifikimeve nga SPAK mbetet për tu parë nëse audio-përgjimi është i vërtetë dhe nëse Shqipëria është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve.
/ZËRI