TIRANË- Një tentativë grabitjeje e një filiali të "FiBank" ka ndodhur sot në Tiranë, në zonën e Deliorgjit. Mesditën e sotme, 58-vjeçari Bardhyl Fusha ka hyrë në ambientet e bankës dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë te arka 20 mijë euro. Autori, i pamaskuar, u fut në bankë me një çantë në dorë, brenda së cilës mbante edhe një kallashnikov, të cilin fillimisht e nxori dhe qëlloi njëherë në dysheme pranë arkës, në një kohë që brenda kishte punonjës dhe klientë. Ndërkohë, një qytetar aty pranë ka arritur të njoftojë policinë ku në kohë rekord patrulla mbërriti dhe kapi autorin e dyshuar i cili po dilte nga dera e bankës, teksa iu sekuestrua çanta, shuma e parave dhe arma. 58-vjeçari Bardhyl Fusha rezulton sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ndërsa burime bëjnë me dije se ka qenë i proceduar disa herë pas denoncimeve nga klientët për mosshlyerje pagesash. Gjithashtu, edhe vetë sipërmarrësi, në dëshminë e tij, ka deklaruar se borxhet e shumta e cuan të ndërrmerte këtë akt.
ZËRI