TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shprehur ambicien për ta bërë Shqipërinë një vend pa para "cash". Nëse kjo ndodh Shqipëria do të bëhet ekonomia e parë pa para cash në botë. Politico shkruan se kjo do ta kthente shoqërinë përmbys. Shumica e shqiptarëve preferojnë t’i menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar. Pagesat me një kartë dixhitale, nuk mund të kryen në shumë dyqane robash, sallone bukurie, kompani të telekomunikacionit, dyqane ushqimore, taksi apo edhe në autobus.
Bankat në Shqipëri ofrojnë shërbime të shtrenjta dhe jo konkurruese, me tarifa të larta për transaksionet dhe kursimet. Bizneset nuk e pranojnë faktin që duhet të paguajnë deri në 3.5 përqind për transaksion për çdo herë që përdorin kartat. Banka Botërore raportoi se më pak se 50 përqind e shqiptarëve kanë një llogari bankare. E pyetur nga Politico, Banka e Shqipërisë nuk pranoi të komentojë në lidhje me planin. Ideja e Ramës do të varet nga ndërtimi i një infrastrukture pagesash dixhitale me kosto të ulët dhe të lehtë për t’u përdorur. Pa këtë plan, nisma mund të mbetet vetëm një ide ambicioze./ZËRI