TIRANË-Një nga konfliktet më të ashpra dhe të përgjakshme në historinë kriminale të Shkodrës është ai mes fiseve Lici dhe Bajri. E gjitha nisi në vitin 2018, me një atentat me tritol ndaj Lulzim Kullës, i njohur si “burri i fortë” i qytetit. Ky sulm u bë pika e nisjes për një varg vrasjesh, zhdukjesh dhe ngjarjesh të rënda që do të zgjasnin për më shumë se shtatë vjet. Vetëm pak muaj pas atentatit, në qershor 2018, u vra Mehdi Kavaja në servisin e Lulzim Kullës. Vrasjet vijuan në korrik me ekzekutimin e çiftit Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, për të cilët dyshohej se kishin lidhje me grupin “Bajri”. Në gusht, u vra Fatbardh Lici, ndërsa pak ditë më vonë u zhdukën pa gjurmë Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa – të dy ende të pagjetur. Në fund të atij muaji u vra edhe Prendush Fusha. Seria e vrasjeve vazhdoi me ekzekutimin e biznesmenit Arjan Ferracaku në shtator dhe të kushëririt të tij Fatos Ferracaku në nëntor 2018. Më 30 mars 2019 u ekzekutuan dy vëllezër, Astrit dhe Brahim Bilali. Në vitin 2020 u vra Ridvan Hyseni, ndërsa në prill 2021 u ekzekutua Bardhok Pllanaj, i njohur si ‘Kumbari’ i Shkodrës. Po atë vit, në maj, u vra Endri Mustafa. Konflikti u rizgjua më 30 tetor 2024, kur në lagjen Dobraç u ekzekutuan Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një çift i pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha. Pavarësisht kësaj ngjarjeje të rëndë, situata qëndroi në heshtje deri më 8 shtator 2025, kur ndodhi një tjetër atentat i përgjakshëm: Armando Pali dhe Liridon Kraja humbën jetën, ndërsa Erogen Vaso dhe një kamariere mbetën të plagosur.
Saga Lici–Bajri është një nga historitë më të gjata dhe më të dhunshme të krimit të organizuar në Shqipëri, duke lënë pas dhjetëra viktima, një klimë të fortë frike dhe një hetim të gjatë e të ndërlikuar për autoritetet./ZËRI