TIRANË-Kush fshihet pas kostove marramendëse për shtyllat me kamera në Tushemisht? Kjo ishte pyetja që ZËRI ngriti pas denoncimeve në rrjet ku të gjithë po pyesin se për çfarë duhen apo shërbejnë gjithë këto kamera. ZËRI ka kontaktuar me Bashkinë e Pogradecit në lidhje me kompaninë apo fondacionin që financoi këtë projekt, por Bashkia nuk dha një emër duke deklaruar se nuk ka lidhje me projektin. Nga ana tjetër Fondi Shqipar i Zhvillimit i pyetur nga ZËRI ka zbuluar se milionat për të siguruar 58 kamera PTZ në shtylla çdo 20 metra në Tushemisht kanë shkuar për kompaninë “Alb-Star” sh.p.k. Kompania "Alb-Star" është në administrim të Bledar Lloshit. Kompania mundëson ndërtime civile, industriale dhe tregti import export, kryesisht në fushën e hotelerisë. Së fundmi “Albstar” ishte një prej bizneseve ku SPAK ushtori kontrolle në kuadër të hetimeve për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Por ky nuk është i vetmi hetim ku kompania rezulton e përfshirë. Më herët kompania ishte në pronësi të Idajet Ismailaj dhe Sadik Ismailaj. Në dosjen e Prokurorisë së Fierit dokumentohet se Kompania 'Albstar' e Idajet Ismailaj rezulton firma kryesore kontrakuese e Bankers me faturime fiktive, devijim të fitimeve, mashtrim të shtetit, përfitim me skemën e TVSH-së, fryrje artificiale të shpenzimeve dhe pastrimin e parave. Gjatë vitit 2011, kompania Albstar në pronësi të Idajet Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers.
/ZËRI