
TIRANË- Banderola me imazhin e kryeministrit Edi Rama dhe me sloganin “Vetëm përpara” që qëndronte mbi selinë e Partisë Socialiste është hequr. Këto janë pamjet që tregojnë se si duket selia rozë një ditë pasi iu vu zjarri nga protestuesit e Partisë Demokratike.
Çfarë ndodhi një natë më parë?
Për katër orë me radhë demokratët e mbështetur nga deputetët e Partisë Demokratike kanë marshuar në të gjitha akset kryesore të Tiranës. Tensionet nisën që para Kryeministrisë, për të vijuar më pas tek Selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës.
Të katër godinave iu vu zjarri që u shua më pas nga efektivët e Policisë që ishin në gadishmëri. Policia ka përdorur dhe gaz lotsjellësh për të distancuar protestuesit. Në protestë nuk pati fjalime, ndërsa protestuesit u prinë nga Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Luçiano Boçi. I pranishëm ishin dhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta e Monika Kryemadhi, por të ndarë. Deri më tani raportohet se ka dhjetëra efektivë e qytetarë të lënduar.
Dje, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI