
TIRANË- Partitë opozitare, kanë firmosur një marrëveshje të përbashkët, e cila ka për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dokumenti i marrëveshjes mban firmat e Sali Berishës, Ilir Metës, Agron Dukës, Fatmir Mediut, Vangjel Dules, Nard Ndokës, Artur Roshit, Ardiatik Alimadhit, Ylber Valterit, Arian Starovës dhe Sali Shehut.
Në dokumentin e bërë publik edhe në media, mungon firma e kreut të LZHK, Dashamir Shehi dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi. Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, nuk është bashkuar. Lulzim Bashës i është dërguar ftesa për të qenë pjesë e konferencës së sotme, por nuk e ka pranuar.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se se do të ngrihet një grup pune me qëllim bashkimin e opozitës. Ai u shpreh se një grup ekspertësh do të marrë mendime të shprehura nga tryeza e opozitës, por edhe jashtë për ti rikthyer në një qëndrim politik të përbashkët.
I pranishëm në mbledhje, Gazment Bardhi e ka quajtur lajm të mirë bashkimin, duke e komentuar përçarjen e opozitës si ‘dhuratën më të mirë për qeverinë e Ramës'. Pyetjes se a duhet të ketë vend në tryezë Lulzim Basha, Bardhi u përgjigje se dera është e hapur për këdo që e ndjen veten opozitar./ZËRI