TIRANË-Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të mërkurë në orën 09:00 në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, 2011. Pas dy orësh në SPAK, Berisha tha para mediave se shkaku pse nuk ishte thirrur deri tani për ngjarjen e rëndë me 4 viktima dhe 120 të plagosur ishte përfshirja në këtë ngjarje e PS dhe Edi Ramës që organizoi demonstratën e dhunshme. Lidhur me ditën e ngjarjes, kryedemokrati theksoi se ushtarët e Gardës nuk kanë qëlluar nga brenda kryeministrise, madje sipas tij, nuk është dhënë asnjë urdhër për këtë. Berisha u thirr si person me dijeni për ngjarjen, pasi më herët kishte dy fletëthirrje nga SPAK në datat 3 dhe 7 nëntor, që i dorëzoheshin në banesë, selinë e PD-së dhe Kuvend. Vetë ai ka thënë se nuk është thirrur asnjëherë për këtë çështje.
/ZËRI