
TIRANË- Elvis Pupa dhe partnerja e tij, Belina Pupa janë në telashe të mëdha me drejtësinë australiane pasi janë kapur me ‘shtëpi bari’. Aktori i humorit është shpallur në kërkim dhe autoritetet dyshojnë se ai ka dalë nga Australia, ndërsa bashkëshortja e tij është liruar me kusht dhe çdo javë do t’i duhet të paraqitet para drejtësisë.
Mediat australiane shkruajnë se dyshes u janë gjetur 43 bimë kanabisi në banesën e tyre, në jug të Australisë, bimë që dyshohet se i kanë kultivuar që nga janari i këtij viti. Belina Pupa, 39 vjeç, krenohet në mediat sociale, ku ka grumbulluar mbi 80,000 ndjekës, teksa poston se me profesionin e saj ndihmon njerëz të të gjitha moshave për të përmirësuar mirëqenien, shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Psikologia Pupa është themeluese e “One Healthy Mind”, ka lidhje me Shqipërinë dhe është shfaqur shumë herë në media. Në faqen e saj të internetit, ajo e përshkruan veten si dikush që ka përvojë në drejtimin dhe transformimin e shërbimeve të shëndetit mendor si në Shqipëri ashtu edhe në Australinë Jugore. Uebsajti i saj tregon gjithashtu se Pupa ishte profesoreshë në Universitetin e Drejtësisë në Shqipëri, këshilltare për pasuri të paluajtshme dhe financa në SHBA, si dhe këshilltare familjesh në Adelaide. Ndërsa aktori Elvis Pupa është njohur për publikun shqiptar në spektaklin “Portokalli”, më pas me filmin “Legjenda e fundit” që xhiroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së fundmi ju bashkua dhe spektaklit Big Brother VIP, por doli shumë shpejt që aty, me argumentin se nuk e gjeti veten dhe nuk u përshtat dot. Dyshja kanë shumë kohë që janë larguar nga Tirana dhe jetonin në Australi, ku rrëfenin se kishin gjetur qetësinë e munguar./ZËRI/