TIRANË- Parlamenti hapi sot dyert për deputetët e Legjislaturës së 11-të. 138 deputetë nga 140 në total, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, u betuan në Kuvendin e Shqipërisë. Emër për emër, të gjithë deputetët u ngritën në këmbë për të bërë betimin solemn mbi Kushtetutë, përveç Tom Doshit dhe Sabina Jorgo, të cilët hoqën dorë nga mandati i tyre si deputetë. Pas betimit të deputetëve, u zhvillua menjëherë votimi i fshehtë për zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, një proces që u bojkotua nga opozita, të cilët në vend të fletëve të votimit hodhën në kuti pankarta ironizuese. Megjithatë, Niko Peleshi grumbulloi 84 vota pro dhe 3 kundër, nga 87 deputetë që morën pjesë në votim, duke u zgjedhur kështu kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë për katër vitet e ardhshme. Peleshi mbajti fjalën e tij përshëndetëse para Parlamentit, teksa e konsideroi postin e tij të ri 'një nder e përgjegjësi të madhe', të cilin e pranon me përulësi. E gjithë seanca e sotme, deri përpara zgjedhjes së Peleshit, u drejtua nga Vasil Llajo, si më i vjetri pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut, këta të fundit të cilët refuzuan të merrnin këtë rol.
/ZËRI