
TIRANË- Aurelio Dervishi, 18 vjeç ka mbetur i vrarë një natë më parë në Shkozë, gjatë një sherri me thika mes disa të rinj. Shkak për sherrin mes të rinjve që degjeneroi më pas në vrasje, dyshohet të jetë bërë një vajzë që ishte e dashura e shokut të Dervishit, por që më herët kishte qenë e lidhur me një tjetër djalë që ishte pjesë e grupit të agresorëve. Të katër autorët po udhëtonin me makinë dhe i kanë dhënë sinjal me drita Dervishit që të ndalonte dhe të përballej me ta.
I riu që ishte pasagjer ka dalë nga mjeti. Të rinjtë janë përleshur fizikisht, ndërsa një 15-vjeçar që ishte mes tyre e ka qëlluar me thikë në gjoks Dervishin duke e lënë të vdekur. Policia ka shoqëruar dhe shokun e viktimës, i cili ishte shofer në makinën me të cilën ata udhëtonin në momentin e vrasjes. Në komisariat janë dhe katër agresorët, Frensi Shehu 20 vjeç dhe tre të mitur, dy 16-vjeçarë dhe 15-vjeçari që dyshohet të jetë autori.