TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Vota abstenim ishte nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ndërsa prezent nga opozita ka qenë edhe deputeti Erald Kapri. Rezoluta dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit. Por edhe pse bojkotuan seancën, në një deklaratë zyrtare në Facebook, Partia Demokratike theksoi se Gardën Revolucionare e konsideron organizatë terroriste dhe e cilëson shtetin iranian si sponsor kryesor të terrorizmit global. Partia Demokratike gjithashtu shprehu solidaritet me vendet e Gjirit Persik që janë prekur nga sulmet e Teheranit dhe mbështeti përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e regjimit të Ajatollahëve.
/ZËRI