
TIRANË- Janë identifikuar të dyshuarit qe u implikuan në vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020. Prokuroria e Posaçme bën me diej se Aurel Hoxha, pronari i "Monopol", është porositësi i vrasjes së 24-vjeçarit kundrejt shumës prej 50 mijë eurosh, ndërsa ekzekutori është Sabah Nuzi. Ky i fundit bashkë me Samet Lokën janë arrestuar nga autoritetet, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për krijuesin, organizatorin dhe drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal shtetasin Aurel Hoxha. Motivi i vrasjes dyshohet të jetë hakmarrja për vrasjen e vëllait të Aurelit, Agim Hoxha në 2012 nga kushëriri i Lleshit. Pra, ngjarja rezulton edhe më e 'vjetër', bëhet fjalë për hasmëri midis dy fiseve, Hoxha dhe Lleshi. Familja Hoxha dhe Lleshi ishin në një sagë të gjatë hakmarrjeje. Agim Hoxha u gjet i vrarë dhe i djegur në makinën e tij, në vitin 2012. Për këtë ngjarje u dënua me 32 vite burg Arben Lleshi, mik dhe bashkëpunëtor i viktimës në Londër. Pas kësaj, fisi Hoxha nisi hakmarrjen ndaj pjesëtarëve të familjes Lleshi. Në vitin 2013 u vra babai i Klevis Lleshit, Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u ekzekutua edhe xhaxhai i tij, Hajredin Lleshi. Po atë vit u zhduk edhe një kushëri i Klevisit, Artan Lleshi. Ndërkohë, Klevis Lleshi u vra në vitin 2020, eshtrat e tij u gjetën vetëm në vitin 2023, ndërsa po në të njëjtin vit, brenda burgut të Peqinit, u vra edhe Arben Lleshi.