
TIRANË-"Hi, I'm Adela, I'm calling you from FCA (Financial Conduct Authority)." Kjo është fjalia me të cilën, sipas denoncimeve të qytetarëve dhe burimeve të ZËRI-t, nisin çdo ditë qindra telefonata drejt vendeve të ndryshme të Evropës nga call center-a që operojnë në Shqipëri. Nëse deri pak kohë më parë fokusi ishte bindja e qytetarëve për të investuar kursimet e tyre në platforma fiktive financiare, tashmë skema që përshkruhet nga burimet e ZËRIT paraqitet ndryshe. Qytetarët kontaktohen nga persona që prezantohen si përfaqësues të institucioneve ose agjencive të specializuara, ku u premtohet se paratë e humbura mund të rikthehen, me kusht që fillimisht të paguajnë një tarifë, por pas kryerjes së pagesës, komunikimi ndërpritet. Në këtë panoramë të re, sipas burimeve të ZËRI-t, përmenden edhe emrat e Vilma Terpos dhe Hajden Lulajt. Ata dyshohet se janë të lidhur me disa struktura call center-ash që operojnë në Tiranë. ZËRI ka shqyrtuar edhe aktivitetet e disa subjekteve tregtare që lidhen me personat e përmendur. Një prej tyre është studioja e arkitekturës ALT Architecture, kompani e cila nuk ka publikuar bilance financiare për disa vite. Ndërkohë, një tjetër aktivitet i identifikuar lidhet me sektorin e turizmit luksoz, përmes një kompanie që ofron shërbime me jahte përgjatë bregdetit shqiptar, në Adriatik dhe Jon.
/ZËRI