
TIRANË- Lamtumirë Papa Françesku! Ati i Shenjtë u përcoll për në banesën e fundit. Arkëmorti u zhvendos nga Bazilika Shën Pjetri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u varros, ndërsa 150 mijë besimtarë ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi.
Ceremonia e lamtumirës u drejtua nga kardinali Giovanni Batista Re, dekani i kolegjit të kardinalëve, i cili mbajti meshën në gjuhën latine. 12 mbretër dhe mbretëresha, 52 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 166 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 200 mijë besimtarë morën pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut. Papa Françesku zgjodhi një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët. Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Ati i Shenjtë vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të zemrës.