TIRANË- Luftar Hysa, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA ka edhe një urdhër arresti nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Fillimisht lajmi u raportua nga mediat meksiane, ku thuhej se vetë Hysa nga viti 2024 ka paraqitur padi dhe urdhra ndalimi për të kundërshtuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Ndërkohë sa i përket një hetimi të nisur edhe nga Shqipëria për biznesmenin, SPAK e ka pohuar, ndërsa shprehet për 'Oranews' se në këtë fazë nuk ka asgjë për të komunikuar me publikun. SPAK në këtë fazë hetimi nuk ka deklaruar ende se për cilin rast kërkohet arrestimi i Hysës apo akuzat që rëndojnë nga Autoritetet shqiptare, ndërsa ajo që raportohet nga mediat meksikane është se në nëntor të 2024, Gjykata e Qarkut të Gjashtë për Çështje Penale në Nuevo León ka pranuar paraprakisht kërkesën e biznesmenit shqiptar për të shmangur ekstradimin në Shqipëri. Në 13 nëntor Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi Luftar Hysën, familjarët e tij dhe bizneset e lidhura me ta me akuza se kanë pastruar paratë e kartelit të drogës 'Sinaloa'.
/ZËRI