TIRANË- Prokuroria e Durrësit ka lëshuar sot 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në skandalin e mbetjeve të rrezikshme që lidhet me kompaninë “Kurum”. Nga këto, 26 janë masa “arrest me burg” dhe 7 masa “arrest shtëpie”. Operacioni për ekzekutimin e masave është shtrirë në 3 qytete, Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Mes personave për të cilët janë firmosur këto masa janë drejtues të “Kurum International” dhe kompanisë shqiptare “Sokolaj”, si dhe zyrtarë të doganës e biznesmenë. Masë sigurie është lëshuar edhe për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollanin e cila është lënë me “arrest shtëpie”, për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave ligjore lidhur me mbikëqyrjen dhe dhënien e lejeve mjedisore. Hetimet kanë konfirmuar se mbetjet e sekuestruara në 102 kontejnerë kanë rezultuar të rrezikshme, pas analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente. Këto mbetje ishin bllokuar në Portin e Durrësit, pas dyshimeve se po trajtoheshin apo transportoheshin në kundërshtim me ligjin dhe standardet mjedisore.
/ZËRI