
TIRANË- Biznesmeni Edvar Agalliu është marrë peng dhe për pesë orë është lidhur e i është ushtruar presion për dorëzimin e 20 milionë lekëve të vjetra. Ai është futur me forcë në një makinë, në momentin që po qëndronte në rrugën “George W.Bush” në qendër të Tiranës.
Më pas është dërguar në fshatin Kakunjë në kufi me Elbasanin, nga ku autorët kanë kontaktuar me bashkëshorten e Agalliut dhe i kanë kërkuar paratë në këmbim të lirimit të biznesmenit. E shoqja ka mbledhur më shumë se 17 milionë lekë të vjetra dhe ia ka dorëzuar njërit prej autorëve, Bajram Ibraliu, në zonën e Saukut. Shkak për këtë pengmarrje mësohet se është bërë një ngacmim. Nga dëshmitë e dhëna përpara autoriteteve, Sulejman Sina ka rrëfyer se Agalliu i ka ngacmuar të dashurën, Nikoleta Begolli, e cila e ka mbështetur këtë version. Vetë biznesmeni Agalliu e pranon njohjen me 32-vjeçaren, por jo faktin që e ka ngacmuar apo shqetësuar të renë. Në pranga janë vënë pesë persona, Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Nikoleta Begolli dhe Bajram Ibraliu.