TIRANË- Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit "dogji" disa zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. Por dosja e hapur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vitin 2011 nuk u çua më tej. Nuk u zbulua se cili ishte roli i drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai, i cili në mars të vitit 2023, firmosi dy tendera me vlerë rreth 7.6 milionë euro. Tenderi iu dha kompanive "Marsi & AL" dhe "Giromondo" për blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre si dhe blerje këpucësh. Pikërisht për këtë tender është ngritur flamuri i kuq për mungesë konkurrence, por edhe pse ishin fitues, sërish kompania "Marsi&AL" është ankuar duke kërkuar më shumë kohë për plotësimin e kushteve për të bërë punën që vetë e kërkuan. Duke qenë se nuk i përmbushnin kushtet që vetë kërkuan, nuk dihet përse nga ana e drejtorit të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai nuk u bë një "prishje kontrate".
Edhe pse jo shumë i njohur për punën e tij, emri i tij është lakuar disa herë për korrupsion, falsifikime dhe pazare me tenderat. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë kontrolluar një nga banesat Endri Mullait, ku i gjetën mijëra euro, një bllok shënimesh, dosje tenderash e shumë materiale të tjera që vlejnë për hetimin e tij. Ndaj tij raportohet se ka pasur dhjetra sinjalizimeve dhe denoncime për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe pazare, përfshirë edhe disa kallëzime penale nga firmat private që ishin skualifikuar pasi Mullai e kishte mbyllur pazarin dhe fituesi ishte paracaktuar.
Më skandalozja është tenderi që Mullai i ka dhënë Olta Sharrës, gruas së Gentian Sharrës (person i lidhur me vrasësin me pagesë Talo Çela). Zonjës në fjalë i ka dhënë tender 2.5 milionë euro për furnizimin me mish, pa e bërë lidhjen fare se menaxher i kësaj kompanie ishte Talo Çela. Por deri më tani, i besuari i ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi ia ka dalë që t'i shpëtojë drejtësisë. Rrezik është fakti që Mullai mban ende të njëjtën detyrë. Kështu që për të shmangur një tjetër abuzim, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka kërkuar kalimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në varësi të Ministrisë së Financave, por një kalim i tillë ka mbetur peng i procedurave dhe ndryshimeve ligjore. Deri në një moment të dytë, tenderat janë në duart e Mullait.