
TIRANË- Bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer gjithçka që ka ndodhur natën që ai u vu në pranga, natë në të cilën mori dhe një plumb në fundshpinë. Sipas Dumanit, mbrëmjen e 29 marsit është nisur të vrasë Elton Kilën, të njohur ndryshe si Oti i Elbasanit, pas një informacioni që kishte marrë nga Suel Çela, personi që sipas tij, e kishte porositur të kryente këtë vrasje.
Por ka rënë në pritë. Në fjalën e tij në Gjykatë, Dumani thotë se nuk ka arritur dot të dallojë se cilët ishin personat që e kanë qëlluar, pasi ishin të maskuar, por shoferi nga trupi i është dukur i ngjashëm me Talo Çelën.
I pyetur nëse ka dhënë deklarime në policinë e Elbasanit kur është arrestuar, ai ka thënë se nuk iu ka kthyer përgjigje atyre që i cilëson si të korruptuar.
Pas arrestimit, Dumani është dërguar në spitalin e Traumës, aty ku rrëfen se është vizituar nga Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, Tonin Vocaj që në atë kohë mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Tiranë dhe Ardian Çipa, i cili drejtonte Policinë e Elbasanit.