
TIRANË- Këtë të martë, 20 Shkurt, që përkon dhe me 33-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, demokratët do të zbresin në protestë përpara kryeministrisë. Protesta e sotme do të zhvillohet pa praninë fizike të liderit historik të tyre, Sali Berisha, i cili ndodhet nën arrest. Dhe pa praninë e një pjese të PD-së që përfaqësohet nga Lulzim Basha. Megjithatë pritshmëritë e organizatorëve flasin për një pjesëmarrje masive. Sali Berisha pritet që t’i drejtohet turmës së mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i banesës së tij, i cili do të shfaqet para protestuesve përmes ekraneve.
Protesta është thirrur në orën 17 e 30, ndërsa përfundimi i saj nuk dihet ende, ndërsa në tavolinë më herët janë hedhur dhe skenarët për një grevë të mundshme urie nga ana e deputetëve demokratë.
Kryeministri Edi Rama, teksa opozita do të protestojë, nuk do të jetë në Shqipëri. Gjatë kësaj të marte ai do të udhëtojë drejt Turqisë, ku pritet të ketë një takim me presidentin Erdogan gjatë së cilit do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje dypalëshe.
Në terren gjatë ditës së sotme pritet që të jenë 1100 efektivë policie, duke nisur nga FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës. Në gadishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, si dhe në disa pika të ndryshme të qendrës së Tiranës, do të jenë të instaluar autobote me ujë, të cilat do të bëjnë edhe shpërndarjen e protestuesve, në rast se do të ketë incidente.