
TIRANË- Koncertet janë argëtuese dhe në shumicën e rasteve, eksperienca të paharrueshme. Mirëpo, krahas kësaj, koncertet nuk janë gjithmonë vendet më te sigurta, sidomos për artistët që performojnë. Shpesh herë, fansat hedhin objekte në skenë, mbase nga emocionet dhe adhurimi që kanë për artistët, por ndodh që këto objekte që hidhen të shkakojnë dëmtime serioze tek performuesit.
Ekspertët ngrenë hipoteza se sjellje të tilla mund të shkaktohen nga dëshira për t’u bërë viralë në rrjetet sociale. Situata të tilla ndodhin prej dekadash tashmë, por duket se muajt e fundit ka qenë një tendencë në rritje.
Më poshtë janë një listë incidentesh që bënë xhiron e rrjetit gjatë verës 2023.
Cardi B
Gjatë një performance në Las Vegas në korrik, dikush nga turma i hodhi një gotë me pije rreperes Cardi B, e cila po performonte hitin e saj “Bodak Yellow”. Pasi qëndroi disa sekonda në shok, e nxehur siç ishte, mori mikrofonin dhe e hodhi në turmë. Reagimet për këtë kundërpërgjigje kanë qenë të shumta, pasi ajo mund të kishte goditur një fans të pafajshëm.
Harry Styles
Ish-pjesëtari i One Direction, Harry Styles po performonte në Vienë, më 8 korrik, kur një fans e goditi me një objekt të paidentifikuar. Harry qëndroi për një farë kohe i ndalur në skenë, me dorën që i mbulonte syrin. Dukshëm këngëtari u lëndua keq.
Drake
Drake po performonte në Chicago në natën e parë të turit të tij “It’s All a Blur”, më 5 korrik dhe një fans i hodhi telefonin në skenë. Telefoni fluturoi nga turma në skenë dhe kapi dorën e Drake. Fatmirësisht nuk pati lëndim, por reagimi i tij tregoi se nuk i pëlqeu aspak një veprim i tillë.
Bebe Rexha
Rasti i Bebe-s është një nga më shqetësuesit. Këngëtarja më origjinë shqiptare po performonte në New York, kur një fans e goditi fort me telefon në sy. Bebe u ul menjëherë në gjunjë, në dhimbje të madhe. Ajo u shoqërua menjëherë për në spital ku mori mjekimin e duhur. Më pas, ajo postoi foto të syrit të nxirë dhe të çarë në rrjetet sociale, duke i thënë fansave se ishte mirë.
Ava Max
Një tjetër këngëtare shqiptare i futet kësaj liste. Një fans u ngjit papritur në skenë teksa Ava Max po performonte në Los Angeles dhe e goditi me shuplakë. Artistja pati gërricje në fytyrë, por vazhdoi të këndonte dhe performonte. Më pas ajo shkroi në Twitter se ky fans nuk do ishte më kurrë pjesë e koncerteve të saj.
Pink
Rasti më i pazakontë duhet të jetë pikërisht ky. Teksa Pink performonte, një fans i hodhi një qese, të mbushur me hirin e mamasë së vdekur! Qesja nuk e preku Pink, por ajo e mori nga skena duke thënë : “A ështe kjo mamaja jote?!” Më pas vazhdoi duke thënë : “Nuk di si të ndihem për këtë”, dhe e la qesen në skenë.
Shpresojmë që raste të tilla të minimizohen, pasi vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e artistëve, që fundja janë aty për të argetuar publikun që i ndjek./Zëri.ai