Video

Rama ‘merkato’ në PD, opozitarët që braktisën varkën

Në muajt e fundit, një sërë funksionarësh të Partisë Demokratike, por edhe të zgjedhur lokalë e vendorë, kanë pranuar që të marrin poste publike në qeverisjen Rama 4.

E.K
Rama ‘merkato’ në PD, opozitarët që braktisën
Opozitaret qe zgjodhen pushtetin

TIRANË- Pas më shumë se 12 vitesh në pushtet, ku shumë ‘koka’ janë prerë dhe konsumuar nga vitet e gjata në qeverisje, socialistët kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit, edhe për individë të profileve të larta që dikur kanë qenë në opozitë. Në muajt e fundit, një sërë funksionarësh të Partisë Demokratike, por edhe të zgjedhur lokalë e vendorë, kanë pranuar që të marrin poste publike në qeverisjen Rama 4. Sinjalet e para për largimet nga fronti opozitar u dhanë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e Majit. Alban Zeneli dhe Zamira Sina, dikur deputetë dhe aktivistë të njohur pranë Partisë Demokratike, u bënë pjesë e listave të hapura për deputetë nga radhët e Partisë Socialiste. Sina arriti të fitonte mandatin në qarkun e Vlorës, ndërsa Zeneli mbeti pa post. Po teksa Sina priste që të merrte zyrtarisht mandatin, një tjetër eksponent i lartë i PD-së në Vlorë, do të largohej nga kjo forcë politike. Genc Deromemaj, ish-drejtuesi i PD-së për 4 vite, pranoi postin e kreut të Kadastrës në Vlorë. Një nga emërimet më të bujshme, ishte ai i Silva Cakës në postin e zëvendësministres së brendshme. Një nga të besuarat e Ilir Metës, tashmë e braktisi varkën, edhe për shkak të përqëndrimit të Partisë së Lirisë në duart e Tedi Blushit pas burgosjes së ish-presidentit. Zheni Gjergji, ish-deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, e cila nuk fitoi dot një mandat në zgjedhjet e Majit, pranoi postin e drejtoreshës në spitalin rajonal. Pa u tharë mirë rreshtat e ish-deputetes demokrate, një tjetër emërim nxiti kureshtjen e publikut. Manjola Nikollo, ish-kryetarja e PD-së në Sarandë, pranoi rolin e nënkryetares së bashkisë së qytetit, që qeveriset nga socialisti Oltion Çaçi. Joshjes për të bashkëpunuar me pushtetin nuk i shpëtoi as ish-deputeti i qarkut të Durrësit, Ferdinand Xhaferri, i cili u emërua këshilltar i presidentit Bajram Begaj për çështjet e sigurisë. Sikur të mos mjaftonin prurjet nga e djathta në qeveri, një lëvizje interesante është bërë së fundi dhe për emërimin e drejtorit të ri të Portit të Durrësit. Në krye të portës më të rëndësishme hyrëse në Ballkan, është emëruar ish-ministri i Kosovës për Infrastrukturën dhe Mjedisin, Liburn Aliu.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB