TIRANË- Grupi Parlamentar i PD-së ka dërguar një letër zyrtare ambasadave të akredituara në Tiranë, duke kërkuar monitorimin e procesit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Shkak për këtë veprim është bërë vendimi i kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka thirrur Kolegjet e Bashkuara më 9 prill për të rishikuar vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Sipas Gjykatës së Lartë, vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota. Kjo përfshin: argumentimin e nevojës për “arrest me burg” në vend të një mase alternative, dhënien e provave për vazhdimin e arrestit dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së personit të akuzuar. Por, sipas PD, kjo nismë, e nisur personalisht nga kryetari i Gjykatës së Lartë, është pa një bazë ligjore të qartë dhe vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend. Demokratët kërkojnë nga ambasadat të monitorojnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të sigurojnë transparencë dhe respekt të standardeve ndërkombëtare, si dhe të mbështesin një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pavarur në Shqipëri.
/ZËRI