TIRANË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen Anderlecht në Bruksel, ku u gjet i varur me kabllo elektrike trupi i një shtetasi shqiptar. Viktima, 29 vjeç, u gjet pranë një qendre tregtare, në një zonë me bimësi, larg vendbanimit të tij. Autoritetet belge po hetojnë mbi tre pista të mundshme: përfshirja në një konflikt me persona nga bota e krimit, përfshirja në trafik droge, si dhe vetëvrasja. Viktima nuk ishte i njohur për precedentë penalë, çka hedh dyshime mbi pistën e parë. Pista e vetëvrasjes po merret seriozisht nga hetuesit, pasi disa familjarë të shqiptarit kanë marrë një mesazh nga telefoni i tij pak para se të gjendej trupi i tij, ku shkruhej: "Unë po iki në botën tjetër." Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit, i varur në një zonë publike dhe me kabllo elektrike, ka ngritur dyshime mbi një skenar të mundshëm vrasjeje apo ekzekutimi. Autoritetet belge pritet të dalin së shpejti me një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes.
/ZËRI