TEPELENË- Kamber Sulçaj është autor i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi dy ditë më parë në fshatin Salari të Tepelenës, pak pas mesnatës së 27 shtatorit. Ngjarja ka ndodhur, siç u njoftua paraprakisht për motive të dobëta, ndërsa grupi hetimor ka siguruar pamje dhe prova të vlefshme për ngjarjen. Dyshohet se ka qenë një sherr banal për dritat e gjata të makinës që ka çuar në vrasjen e 44 vjeçarit italian.
Autori, i bezdisur nga dritat e automjetit që drejtonte Sarchi dhe tre miqtë e tij shqiptarë - Eqrem, Daniel dhe Gazment Braçi - u hakmor me një armë zjarri. Nga hetimet ka rezultuar se Kamber Sulçaj fillimisht është konfliktuar verbalisht, me biznesmenin italian Edoardo Sarchi dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit. Më pas, Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën biznesmeni italian. 48-vjeçari Sulçaj është i shpallur në kërkim nga policia për 3 vepra penale; vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh./ZËRI