Video

Zjarret e verës 2025/ Shqipëria pa avionë zjarrfikës! Ndihma vjen nga BE-ja

Ekspertët e fushës dhe organizatat vendore kanë ngritur alarmin për mungesën e infrastrukturës ajrore për emergjenca civile, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në rajon pa avionë apo helikopterë zjarrfikës të dedikuar.

l.k

Zjarret e verës 2025/ Shqipëria pa avionë zjarrfikës! Ndihma

TIRANË- Shqipëria po përballet me një prej sezoneve më të rënda të zjarreve në dekadën e fundit. Sipas të dhënave nga Sistemi Europian i Zjarreve dhe Pyjeve, gjatë 7 muajve të parë të vitit 2025 janë djegur mbi 49 mijë hektarë tokë, një shifër alarmante që i afrohet rekordit të vitit 2021, kur në një vit të plotë u regjistruan 54 mijë hektarë të djegur.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten ende aktive, ndërsa fatkeqësisht është shënuar edhe një viktimë: një 80-vjeçar humbi jetën nga asfiksia në Gramsh, sipas njoftimit të Policisë së Elbasanit. Zjarret janë përhapur në disa qarqe të vendit, përfshirë Vlorën, Dibrën, Beratin, Tiranën, Elbasanin, Gjirokastrën dhe Korçën, duke rrezikuar banesa, ferma dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje dhe kullota.

Përballë përkeqësimit të situatës, qeveria dhe opozita kanë shkëmbyer akuza publike. Kryeministri Edi Rama, në një reagim ndaj kritikave, ka theksuar se Shqipëria ka marrë ndihmë nga aleatë ndërkombëtarë, si BE dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shtuar se zjarret janë një sfidë komplekse dhe jo vetëm “çështje avionësh”. Ai përmendi edhe shtete si Greqia dhe Italia, të cilat, pavarësisht flotës ajrore, po përballen me vatra të shumta zjarresh.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i drejtuar nga Presidenti Bajram Begaj, për të diskutuar mbi menaxhimin e krizës, por deri tani ky këshill nuk është mbledhur. Për opozitën në Delvinë dhe Gramsh duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, si pasojë e përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe dëmeve që pësuan banorët.


Ndërkohë, një nga shqetësimet më të mëdha mbetet mungesa e avionëve zjarrfikës, një premtim i bërë nga kryeministri Rama gjatë fushatës së marsit 2025, ku u deklarua se “dy avionë zjarrfikës do të jenë në dispozicion që nga kjo verë”.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar zyrtarisht se Forcat e Armatosura nuk disponojnë asnjë avion zjarrfikës, duke e lënë vendin tërësisht të varur nga ndihma e huaj në raste emergjencash ajrore.


Ekspertët e fushës dhe organizatat vendore kanë ngritur alarmin për mungesën e infrastrukturës ajrore për emergjenca civile, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në rajon pa avionë apo helikopterë zjarrfikës të dedikuar.


Bashkimi Europian ka ardhur në ndihmë të Shqipërisë për përballimin e zjarreve të shumta duke aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Në kuadër të këtij mekanizmi, janë dërguar dy avionë zjarrfikës nga flota evropiane e stacionuar në Itali, katër avionë nga Greqia, si dhe një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet prej 6 tonësh uji.


Këto ndërhyrje kanë ndihmuar në shuarjen e disa prej vatrave më problematike në jug dhe qendër të Shqipërisë, në një kohë kur vendi vetë nuk disponon asnjë avion zjarrfikës./ZËRI/

Poll

MOS HUMB