
BURREL-Në Qafën e Burrelit prej 3 ditësh tashmë vijojnë kërkimet për 29-vjeçarin Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me eskavator kur një masiv i madh minerali dhe inertesh e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit. Ajo çka është gjetur deri sot janë vetëm disa copa të eskavatorit të shpërndara, por asnjë gjurmë nga 29-vjeçari.
Ushtria, banorët e zonës dhe punonjës të tjerë të fabrikës kanë dalë dhe kërkojnë trupin e të riut. Familjarët e të riut i kanë bërë apel institucioneve për intensifikimin e operacionit të kërkimit, duke theksuar se nevojiten pajisje më të specializuara dhe makineri të posaçme për të gjetur të afërmin e tyre. Sipas tyre, vetëm disa punonjës të autoriteteve me lopata nuk mjaftojnë për të gjetur trupin e të riut.
PAMJE NGA SHEMBJA:
Ndërkohë sot për të ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e 29 vjeçarit ka mbërritur edhe kreu i emergjencave civile, Haki Çako.
“Shprehim ngushëllimet tona për familjen për humbjen e djalit të tyre. Janë angazhuar dhe vijojnë të punojnë intensivisht pothuajse të gjitha strukturat, njësitë e emergjencave civile, të bashkisë, të prefekturës dhe strukturave të tjera qendrore, në drejtimin e ekspertëve. Është një operacion jashtëzakonisht i vështirë, pasi shtrirja e kërkimeve shkon në 4-5 km. Do të vëmë në punë të gjitha kapacitetet deri në gjetjen e të riut,"- tha ai.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Komisariatit të Matit arrestoi drejtuesin teknik të kësaj firme, 44-vjeçarin Ademir Lala për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë. Ndërkohë prefekti i qarkut Dibër, Nezhmedin Shehu, u shpreh se po bëhen të pamundura për gjetjen e trupit, por është shumë e vështirë për shkak të volumit të madh të mineralit./ZËRI